Secondary Adv

Furnizimi me ujë në Durrës u përkeqësua në vitin 2025, Kamza mbetet me 4 orë në ditë

Vetëm Lezha raporton furnizim 24 orë me ujë, ndërsa Durrësi shënoi përkeqësimin më të fortë gjatë vitit 2025.

Furnizimi i pandërprerë me ujë mbetet përjashtim në Shqipëri. Nga 17 operatorët e analizuar nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU) për vitin 2025, vetëm Ujësjellësi Rajonal Lezhë raporton furnizim 24 orë në ditë. Në skajin tjetër, Kamza vazhdon të furnizohet mesatarisht vetëm 4 orë në ditë, ndërsa Vora 8 orë.


Pesë operatorë klasifikohen nga ERRU në kategorinë e performancës së dobët, me më pak se 17 orë furnizim në ditë. Përveç Kamzës dhe Vorës, në këtë grup përfshihen Durrësi me 10.9 orë, Vlora me 13 orë dhe Kukësi me 14 orë furnizim në ditë. Kamza dhe Vora kanë mbetur në të njëjtin nivel të furnizimit gjatë tri viteve të fundit.


Durrësi humbi 2.1 orë furnizim me ujë në ditë

Durrësi shënoi përkeqësimin më të fortë gjatë vitit 2025. Furnizimi mesatar me ujë ra nga 13 orë në ditë në vitin 2024 në 10.9 orë në vitin 2025, ose 2.1 orë më pak. ERRU e lidh këtë rënie me problematikat në funksionimin e sistemit SCADA.


Rënie të kohëzgjatjes së furnizimit u regjistruan edhe në disa operatorë të tjerë. Gjirokastra humbi 0.6 orë furnizim në ditë, Korça 0.5 orë dhe Shkodra 0.4 orë.


Lezha me 24 orë ujë, por mbulon vetëm 55.9 për qind të popullsisë


Pas Lezhës, rezultatet më të mira për kohëzgjatjen e furnizimit i kanë Pogradeci me 23.9 orë ujë në ditë dhe Korça me 23.5 orë. Në këto dy raste, furnizimi i gjatë shoqërohet edhe me mbulim relativisht të lartë të popullsisë, përkatësisht 90.9% në Pogradec dhe 99% në Korçë.


Në Lezhë situata paraqitet ndryshe. Megjithëse operatori raporton furnizim 24 orë në ditë, shërbimi mbulon vetëm 55.9% të popullsisë së raportuar në juridiksionin e tij.


Tirana mbetet me 17 orë furnizim në ditë

Tirana ka një furnizim mesatar me ujë prej 17 orësh në ditë, nivel që ka mbetur i pandryshuar gjatë tri viteve të fundit. Në nivel sektori, furnizimi mesatar rezulton 17.2 orë në

ditë, duke qëndruar nën kufirin prej 18 orësh që ERRU e konsideron performancë të mirë.


Humbjet e larta në rrjet, lidhjet e paligjshme, faturimi aforfe dhe infrastruktura që kërkon rehabilitim renditen mes faktorëve që vazhdojnë të kufizojnë furnizimin e pandërprerë me ujë në vend.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat